Botë

Skandal i dyfishtë në Maqedoninë e Veriut: Takim pa shqip dhe dhurata diplomatike me Kosovën të fshirë nga harta Një…

17.01.2026. 3 min čitanja

Skandal i dyfishtë në Maqedoninë e Veriut: Takim pa shqip dhe dhurata diplomatike me Kosovën të fshirë nga harta

Një skandal me përmasa politike dhe simbolike po ngre shqetësime serioze në Maqedoninë e Veriut, duke vënë në pikëpyetje respektimin e barazisë gjuhësore dhe qëndrimin institucional ndaj Kosovës.

Në një takim zyrtar mes ministrit të Mjedisit, Muhamet Hoxha, dhe ambasadorit të Kosovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi që komunikimin publik ta bëjë vetëm në gjuhën maqedonase, pa asnjë version në gjuhën shqipe. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se njëri nga pjesëmarrësit është ministër shqiptar, çka u pa nga opinioni si përjashtim i qëllimshëm i shqipes nga komunikimi shtetëror.

Ky veprim është cilësuar si mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe dhe një sinjal shqetësues për pozitën e saj në institucionet shtetërore.

Por skandali nuk përfundon këtu. Vetëm pak ditë më parë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut u dërgoi përfaqësive diplomatike dhurata zyrtare për festat e fundvitit, ku përfshihej edhe një fletore me hartë, në të cilën Kosova nuk paraqitej si shtet i pavarur, por si pjesë e Serbisë.

Një veprim i tillë ka shkaktuar reagime të ashpra, duke u konsideruar jo si gafë protokollare, por si një sinjal politik i rrezikshëm, që cenon realitetin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet me Kosovën.

Kur këto dy raste shihen së bashku – përjashtimi i gjuhës shqipe nga komunikimi zyrtar dhe fshirja e Kosovës nga harta diplomatike – krijohet një tablo alarmante për orientimin politik dhe institucional të shtetit.

Qeveria që erdhi në pushtet me premtime për barazi dhe partneritet ndëretnik, po përballet me akuza serioze se po relativizon identitetin shqiptar dhe po minimizon rolin dhe ekzistencën e Kosovës, përmes veprimeve simbolike që rrezikojnë të kthehen në praktikë të zakonshme.

Në këtë kontekst, shqipja dhe Kosova po shfaqen si të padëshiruara në komunikimin dhe simbolikën shtetërore – një realitet që po ngjall shqetësim të thellë në opinionin publik shqiptar.

— Dragash Info

Original Facebook objava