Situata e vërshimeve në Kosovë përditësohet – përmirësim pas reshjeve Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillim…
Situata e vërshimeve në Kosovë përditësohet – përmirësim pas reshjeve
Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm.
Sipas të dhënave nga Qendrat Operative
Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
Gjendja sipas rajoneve:
Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në disa nënkalime dhe bllokime të rrugëve dytësore; situata mbetet e menaxhueshme.
Prizren: Gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike; gjendja stabile.
Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; në Mitrovicën e Jugut disa familje janë evakuuar përkohësisht si masë parandaluese.
Pejë: Dy intervenime janë raportuar në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; komunat e tjera mbeten stabile.
Gjakovë & Gjilan: Situatë e qetë dhe nën kontroll, me rënie të vazhdueshme të nivelit të ujit në lumenj.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë të mobilizuara në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve pa dallim, ndërsa sistemi i komunikimit emergjent 112 dhe Qendra Operative e Agjencisë janë në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm 24/7.
Vështirësi shtesë:
Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona të vendit. Po ashtu, disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.
Ndërhyrje institucionale:
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përveç reagimit me forca operative në mbarë vendin, ka mbështetur KEK-un dhe KOSTT-in me pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat vazhdojnë të jenë në funksion sipas nevojës.
Institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë për reagim të shpejtë, ndërsa situata vazhdon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.
— Dragash Info