Botë

“Sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit” – Djali i rreshterit Afrim Bunjaku rrëfen çastet e fundit me babain…

02.01.2026. 6 min čitanja

“Sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit” – Djali i rreshterit Afrim Bunjaku rrëfen çastet e fundit me babain e tij

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra gjatë një sulmi të organizuar terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor në krye të detyrës, gjatë një sulmi të armatosur nga grupe serbe në veri të vendit, teksa po përmbushte misionin e tij për mbrojtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Rënia e tij nuk la pas vetëm dhimbje kombëtare, por edhe një plagë të thellë në zemrën e familjes, veçanërisht te djali i tij, Jetlum Bunjaku, i cili për herë të parë, në një intervistë për “Front Online”, rrëfen publikisht momentet e fundit me babanë dhe çastin kur jeta e tij ndryshoi përgjithmonë.

Dita e fundit në uniformë

Dita e fundit e jetës së rreshterit Afrim Bunjaku nisi si çdo ditë tjetër pune – me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri për uniformën që e kishte veshur për vite me radhë.

Askush nuk e dinte se ajo do të ishte dita e fundit e tij. Për familjen mbeti dita më e dhimbshme, ndërsa për Kosovën – dita kur humbi një nga mbrojtësit e saj më të përkushtuar.

Më 23 shtator 2023, një ditë para ngjarjes tragjike, ishte vetë Jetlumi ai që e përcolli babanë drejt detyrës.

“Një ditë para ngjarjes, me datën 23 shtator, e dërgova për në punë me veturën tonë personale nga fshati ku jetojmë, Samadrexhë, deri te pompa e derivateve ‘Elan Petrol’ në Pestovë, ku edhe punoja. Prej aty, ai vazhdoi me veturën e kolegëve për në stacionin policor në Vushtrri dhe më pas me veturën zyrtare drejt veriut”, rrëfen Jetlum Bunjaku.

“Sikur e ndjente që ishte lamtumira e fundit”

Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë kujtim është ndjenja se Afrim Bunjaku, sikur e kishte parandjerë se ajo do të ishte lamtumira e fundit.

“Gjatë gjithë rrugës për në punë, sikur e ndjente që do të ishte takimi ynë i fundit. Gjatë rrugës më fliste vazhdimisht dhe më jepte këshilla”, rrëfen Jetlumi.

Momenti i lajmit tragjik

Jetlumi rrëfen edhe momentin kur mori lajmin se babai i tij kishte rënë dëshmor.

“Të nesërmen, prisja t’ia dorëzoja veturën dhe të filloja orarin e punës në pompën ku punoja, rreth orës 7:30 të mëngjesit. Papritur dëgjova një zhurmë jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e rrethuar me polici dhe familjarë. Aty mora lajmin se babai im kishte rënë dëshmor”, thotë ai.

“Emri i babait tim është krenaria ime më e madhe”

Në një rrëfim të mbushur me emocione, Jetlum Bunjaku e përshkruan babanë e tij jo vetëm si hero të Kosovës, por mbi të gjitha si një baba të përkushtuar, njeri të qetë dhe shembull të ndershmërisë dhe dashurisë familjare.

“Babain tim e kujtoj si njeri të qetë dhe të dashur, si për familjen, ashtu edhe për rrethin. Sa ishte gjallë, ndihesha krenar që njihej si djali i Afrim Bunjakut, e sot edhe më shumë si djali i një heroi të Kosovës. Këshillat e tij ishin gjithmonë që të vazhdoja shkollimin dhe të ecja në jetë si njeri i ndershëm dhe me karakter”, shprehet ai.

“Babai im jetoi për të mirën e të tjerëve”

Sipas Jetlumit, ndonëse fizikisht mungon, babai i tij vazhdon të jetë i pranishëm çdo ditë në jetën e familjes përmes kujtimeve, vlerave dhe emrit që la pas.

“Edhe pse sot nuk është më me ne fizikisht, ai jeton në çdo hap tonin. Kujtojmë buzëqeshjen, qetësinë dhe fjalët që na jepnin forcë. Ai nuk jetoi vetëm për familjen, por për shoqërinë në tërësi”, thotë ai.

Thirrje për të mos harruar dëshmorët

Jetlum Bunjaku thekson se përkrahja nga institucionet dhe qytetarët ka qenë e vazhdueshme dhe e çmuar për familjen gjatë kësaj kohe të vështirë.

“Në këtë periudhë kemi pasur përkrahje nga të gjithë – nga institucionet dhe nga qytetarët”, shprehet ai.

Në fund të rrëfimit, ai jep një mesazh të fuqishëm:

“Këshilla dhe dëshira ime e vetme është që historia dhe vepra e dëshmorëve të mos harrohet kurrë, sepse falë tyre ne sot jemi të lirë”.

Reagimet dhe nderimet shtetërore

Sulmi në Banjskë u dënua ashpër nga Ambasada Amerikane, e cila kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë. Kjo kërkesë u përsërit edhe nga UNMIK, OSBE, KFOR, EULEX, si dhe nga shumë shtete mike, përfshirë Gjermaninë, Britaninë, Italinë, Austrinë, Kroacinë dhe Turqinë.

Dita e hënë, 25 shtator 2023, u shpall ditë zie shtetërore, ndërsa presidentja e Republikës së Kosovës i akordoi rreshterit Afrim Bunjaku postmortem urdhrin “Hero i Kombit”.

Ai u varros me nderime të larta shtetërore, ndërsa Policia e Kosovës prezantoi arsenalin e armëve dhe pajisjeve të konfiskuara gjatë operacioneve në veri.

Aktakuza për sulmin u ngrit më 11 shtator 2024, 13 ditë para përvjetorit të parë të ngjarjes.

Original Facebook objava