Shqiptarët e Sanxhakut kërkojnë respekt dhe dokumente të Republikës së Kosovës Një reagim publik drejtuar Presidentes…
Shqiptarët e Sanxhakut kërkojnë respekt dhe dokumente të Republikës së Kosovës
Një reagim publik drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit, z. Albin Kurti, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me trajtimin institucional të shqiptarëve të Sanxhakut në Kosovë.
Amina Nuraj, përfaqësuese e kësaj kategorie qytetarësh, ka deklaruar se shqiptarët e Sanxhakut nuk janë të huaj në Republikën e Kosovës dhe se nuk kanë nevojë për regjistrime apo çregjistrime për të hyrë në atë që e konsiderojnë shtetin e tyre.
Sipas saj, ligji aktual përbën një padrejtësi të rëndë, sidomos për ata që nuk pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës, ndonëse jetojnë, kanë familje, janë të martuar dhe synojnë të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë.
“Është bërë një gabim i madh me këtë ligj, veçanërisht për ne që nuk po marrim dokumente të Republikës së Kosovës, ndërkohë që kemi lidhje familjare dhe jetësore këtu”, thuhet në reagim.
Në mesazhin e saj, Nuraj shpreh shpresën që institucionet e Kosovës, në të ardhmen, të punojnë më seriozisht për respektimin e shqiptarëve të Sanxhakut dhe të krijojnë mundësi reale që ata të pajisen me dokumente shtetërore të Republikës së Kosovës.
Kërkesa vjen në një kohë kur çështjet e të drejtave civile, dokumentimit dhe barazisë para ligjit po diskutohen gjithnjë e më shumë në opinionin publik, duke hapur nevojën për rishikim të politikave ekzistuese.
— Dragash Info