Shqetësim qytetar në Dragash: Edhe natën e Vitit të Ri, shumë fshatra pa energji elektrike Qytetarët e Komunës së Dra…
Shqetësim qytetar në Dragash: Edhe natën e Vitit të Ri, shumë fshatra pa energji elektrike
Qytetarët e Komunës së Dragashit po përballen prej një kohe me probleme të vazhdueshme në furnizimin me energji elektrike, të shoqëruara me ndërprerje dhe reduktime të shpeshta, shpesh pa paralajmërim dhe pa sqarime zyrtare.
Sipas reagimeve dhe informacioneve të qytetarëve, edhe sonte, në natën e Vitit të Ri, një numër i madh fshatrash në trevën e Opojës dhe Gorës kanë mbetur pa energji elektrike, duke e përjetuar ndërrimin e moteve në kushte të vështira dhe me shqetësim të shtuar.
Këto ndërprerje po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, funksionimin e amvisërive, bizneseve lokale dhe shërbimeve bazike, duke krijuar pakënaqësi dhe pasiguri të vazhdueshme.
Qytetarët shprehin shqetësimin se reduktimet po ndodhin me arsye dhe pa arsye, pa një plan të qartë informimi dhe pa transparencë nga institucionet përgjegjëse.
Përmes këtij njoftimi, media jonë përcjell shqetësimin qytetar dhe u bën apel institucioneve kompetente që të reagojnë me urgjencë, të ofrojnë sqarime publike dhe të ndërmarrin masa konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në Komunën e Dragashit.
Media jonë do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje me interes publik.