Botë

Shpërblehen punëtorët e “Kosova A”, punëtorët e “Kosova B” pa asnjë cent – Sindikata paralajmëron padi ndaj KEK-ut Ko…

23.01.2026. 3 min čitanja

Shpërblehen punëtorët e “Kosova A”, punëtorët e “Kosova B” pa asnjë cent – Sindikata paralajmëron padi ndaj KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se ka ndarë bonuse financiare në vlerë prej 200 eurosh ose më shumë për një pjesë të punëtorëve të Termocentralit Kosova A, ndërkohë që nga këto përfitime janë përjashtuar punëtorët e Termocentralit Kosova B si dhe ata të sektorit të qymyrit.

Sipas informatave që ka siguruar Klan Kosova nga burime brenda institucionit, ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe është cilësuar si i padrejtë dhe diskriminues, duke rrezikuar unitetin e punëtorëve brenda KEK-ut.

Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, i cili ka deklaruar se bonusi është ndarë vetëm për një pjesë të punëtorëve të Kosovës A, ndërsa punëtorët e Kosovës B janë lënë jashtë pa asnjë arsyetim të qartë.

“Është e vërtetë që për një pjesë të punëtorëve të Kosovës A janë ndarë bonuse, ndërsa të mënjanuar kanë mbetur punëtorët e Kosovës B. Ky veprim i menaxhmentit ka për qëllim përçarjen mes punëtorëve, ndonëse dihet se të gjitha njësitë funksionojnë si një hallkë e pandashme. Ne nuk jemi kundër stimulimit të punëtorëve të Kosovës A, por mënyra se si është vepruar është e papranueshme”, ka thënë Llumnica.

Ai shtoi se kjo çështje nuk është përmendur as në takimin e fundit me Bordin e KEK-ut, të mbajtur më 21 janar.

“Në atë takim nuk na është dhënë asnjë informacion dhe as paralajmërim. Sikur të ishim njoftuar, nuk do ta lejonim një diskriminim të tillë. Kjo është bërë qëllimisht, si kurth për të krijuar krisje mes punëtorëve dhe për të zbehur kërkesat e përbashkëta për rritje pagash”, theksoi ai.

Sindikata e KEK-ut ka paralajmëruar padi ndaj Korporatës, e cila, sipas Llumnicës, pritet të iniciohet që në fillim të javës së ardhshme.
Ndërkohë, Klan Kosova ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të KEK-ut dhe është në pritje të një përgjigjeje lidhur me këtë çështje.

— Dragash Info

Original Facebook objava