Sejdilar akuzon pushtetin lokal dhe deputetët e zonës për neglizhencë: “Katër vite heshtje – zero rezultate për rrugë…
Sejdilar akuzon pushtetin lokal dhe deputetët e zonës për neglizhencë: “Katër vite heshtje – zero rezultate për rrugën Dragash–Restelicë”
Aktivisti dhe përfaqësuesi politik Nedžmidin Sejdilar ka reaguar publikisht lidhur me gjendjen alarmante të segmentit rrugor Dragash – Restelicë, duke adresuar akuza të drejtpërdrejta ndaj pushtetit lokal në Dragash, si dhe ndaj deputetëve të zonës që kanë ushtruar mandat në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Sejdilarit, përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin aktual të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, si dhe mbi koalicionin lokal JGP–SDU, të cilët, sipas tij, për katër vite me radhë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim serioz institucional për të adresuar problemin e rrugës.
Ai ka theksuar se, përveç pushtetit lokal, përgjegjësi mbajnë edhe deputetët Adem Hoxha" (JGP) dhe Duda Balje" (SDU), të cilët, sipas tij, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që vijnë pikërisht nga kjo pjesë e vendit.
“Për katër vite nuk është njoftuar Qeveria, nuk janë aktivizuar ministritë dhe nuk është kërkuar zgjidhje konkrete, ndonëse jeta e qytetarëve ka qenë e rrezikuar çdo ditë. Kjo nuk është gabim, por vendim i qëllimshëm,” ka deklaruar Sejdilar.
Ai ka shtuar se për një dekadë angazhimi politik, përfaqësuesit lokalë dhe deputetët e përmendur nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret për këtë segment jetik rrugor.
Sejdilari ka bërë të ditur se personalisht e ka shoqëruar kryeministrin Albin Kurti" në terren, për t’ia paraqitur gjendjen reale të rrugës Dragash–Restelicë, duke theksuar se nga ana e Qeverisë ka marrë një premtim të qartë për zgjidhjen e problemit.
Ai ka kritikuar ashpër reagimet e fundit publike të përfaqësuesve lokalë, duke i cilësuar ato si të vonuara dhe hipokrite.
“Para kamerave shfaqen të shqetësuar, por realisht kanë pasur pushtet, buxhet dhe kohë, dhe nuk kanë bërë asgjë,” ka theksuar ai, duke shtuar se për çdo deklaratë ekzistojnë dokumente dhe dëshmi zyrtare.
Në fund, Sejdilar ka theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të fshihet, duke nënvizuar se qytetarët do të gjykojnë veprimet dhe heshtjen e secilit institucion e përfaqësues politik.
Postimi i plotë i z. Nedzmidin Sejdilar:
Të nderuar qytetarë,
Katër vite me radhë, kryetari i Komunës së Dragashit ka heshtur me vetëdije. Katër vite nuk e ka njoftuar Qeverinë, nuk i ka njoftuar ministritë, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim – ndërkohë që rruga po shkatërrohej dhe jeta e qytetarëve ishte në rrezik.
Kjo nuk është gabim. Kjo është vendim.
Adem Hoxha, me mbi dhjetë vjet në politikë, ka dëshmuar vetëm një gjë: se posti i ka vlejtur më shumë se përgjegjësia.
Nuk pati guxim të kërkojë zgjidhje. Nuk pati vullnet të përballet.
Pati vetëm vazhdimësi të mosveprimit.
Dhjetë vite – ZERO rezultate.
Duda Balje?
Ajo nuk dështoi – ajo zgjodhi.
Zgjodhi kolltukët para njerëzve.
Kombinimet para së vërtetës.
Interesin personal para interesit publik.
Derisa rrugët po shkatërroheshin, ajo ndërtonte përfitimin e saj politik.
Edhe këtu – ZERO rezultate.
Edhe sot janë të njëjtët.
Të pandryshueshëm.
Të paaftë.
Të pasinqertë.
Kjo nuk është më pakujdesi – kjo është falimentim moral.
Të nderuar qytetarë,
E vërteta është e rrezikshme vetëm për ata që janë fajtorë.
Katër vite kam paralajmëruar.
Katër vite kam kërkuar.
Katër vite NUK kam heshtur.
Prandaj PERSONALISHT e kam dërguar kryeministrin aktual, të nderuarin Albin Kurti", në atë segment rrugor.
Ia kam treguar realitetin, jo raportet në letër.
Dhe kam marrë premtim të qartë se problemi do të zgjidhet.
Rregullimi i segmentit
Dragash – Restelicë
ishte premtim parazgjedhor.
Jo slogan – premtim.
E sot?
Sot dalin “mbrojtësit” që kishin pushtet, buxhete dhe kohë, por nuk bënë ASGJË.
Para kamerave shtiren të shqetësuar, ndërsa në realitet lajnë duart.
Ata nuk janë mbrojtës – janë mashtrues politikë.
Lotët e tyre janë të rremë.
Shqetësimi i tyre është aktrim.
Sjellja e tyre është hipokrizi e pastër.
Për çdo fjalë që kam thënë ekzistojnë procesverbale, dokumente dhe dëshmi.
Këto janë fakte.
Le të mbetet e shkruar.
Le të mbetet e qartë.
Që të mos harrohet kurrë kush heshti e kush foli.
Kush kalkuloi e kush luftoi.
Populli mban mend.
Populli gjykon.
Populli vendos.
Me respekt,
Nedžmidin Sejdilar
Populli është Fuqi
— Dragash Info