Rubio: Maduro nuk është president, por kreu i një organizate narkoterroriste Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubi…
Rubio: Maduro nuk është president, por kreu i një organizate narkoterroriste
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Venezuelë, ku Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar sulme dhe kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
Në një deklaratë publike, Rubio ka thënë se Maduro nuk është president legjitim i Venezuelës dhe se regjimi i tij nuk përfaqëson një qeveri të ligjshme.
“Maduro NUK është presidenti i Venezuelës dhe regjimi i tij NUK është qeveria legjitime”, ka shkruar Rubio.
Ai ka shtuar se Maduro, sipas autoriteteve amerikane, është kreu i kartelit të njohur si Los Soles, të cilin e ka cilësuar si një organizatë narkoterroriste që ka marrë nën kontroll strukturat shtetërore të Venezuelës.
“Maduro është kreu i Kartelit të Los Soles, një organizatë narkoterroriste që ka kapur një shtet. Ai gjithashtu është i paditur për trafikim të drogës drejt Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit.
Deklarata e Rubios vjen në vazhdën e reagimeve ndërkombëtare pas veprimeve të SHBA-së në Venezuelë, të cilat kanë nxitur debat dhe reagime të forta politike në arenën ndërkombëtare.