Rrezik për arratisje s’ka, por Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit
Rrezik për arratisje s’ka, por Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit Edhe pse gjykimi ndaj krerëve të ish-UÇK ka përfunduar dhe nuk ka më paraqitje provash apo dëshmitarësh, Kadri Veseli do të vazhdojë të mbetet në paraburgim me vendim të Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në këtë proces gjyqësor, në paraburgim vazhdojnë të mbahen edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas raportimit të Nacionale, gjyqtarët kanë konstatuar se nuk ekziston rrezik për arratisje dhe se përfundimi i gjykimit nuk e rrit një rrezik të tillë. Po ashtu, nuk është gjetur asnjë provë që Veseli mund të ndikojë në dëshmitarë. Megjithatë, pavarësisht këtyre konstatimeve, paneli gjyqësor ka vendosur që paraburgimi të vazhdojë. Në arsyetimin e vendimit thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur argumente të njëjta me ato të mëhershmet, të cilat tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar nga gjykata, përfshirë seriozitetin e akuzave dhe mundësinë e një dënimi të gjatë. Gjykata gjithashtu theksoi se përfundimi i procesit gjyqësor nuk ndikon në rritjen e rrezikut për arratisje dhe nuk e bën më konkrete një dënim të mundshëm ndaj Veselit. Megjithatë, një nga arsyet kryesore për vazhdimin e paraburgimit mbetet shqetësimi për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe integritetin e procesit gjyqësor. Paneli vlerësoi se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, e cila, sipas tyre, nuk mund të kapërcehet vetëm me masa mbrojtëse. Në vendim theksohet se, pavarësisht se potenciali për ndërhyrje është i kufizuar në këtë fazë, lirimi i të akuzuarit mund të rrezikojë mbrojtjen efektive të dëshmitarëve dhe rrjedhën e drejtësisë. — Dragash Info