Rreth 150 persona të arrestuar në Prizren për dyshime për manipulim të votave – mungesë hapësire në qendrat e mbajtje…
Rreth 150 persona të arrestuar në Prizren për dyshime për manipulim të votave – mungesë hapësire në qendrat e mbajtjes
Rreth 150 persona janë arrestuar të premten në Prizren në kuadër të një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit nacionale.
Burime të sigurta brenda organeve të rendit bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, pas autorizimit për mbledhjen e provave që erdhi si rezultat i rinumërimit të votave, ku u evidentuan parregullsi serioze.
Sipas informacioneve të siguruara, në mesin e të arrestuarve gjendet edhe djali i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili pas rinumërimit rezultoi me mijëra vota më tepër sesa ishin realisht të regjistruara në kutitë e votimit.
Të gjithë të ndaluarit janë ndaluar për një periudhë prej 48 orësh. Megjithatë, burime zyrtare bëjnë të ditur se aktualisht ka mungesë hapësire në qendrat e mbajtjes për shkak të numrit të madh të të arrestuarve.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar Prokurorinë se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e të gjithë të ndaluarve dhe se po shqyrtohen zgjidhje alternative emergjente.
Hetimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e arrestimeve të reja, nëse vërtetohen përfshirje të tjera në këtë skemë të dyshuar të manipulimit zgjedhor.
— Dragash Info