Rinumërimi i votave dhe prekje e integritetit: Reagon Luljeta Veselaj Gutaj Kandidatja për deputete dhe drejtoreshë e…
Rinumërimi i votave dhe prekje e integritetit: Reagon Luljeta Veselaj Gutaj
Kandidatja për deputete dhe drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj Gutaj, ka reaguar ashpër pas rinumërimit të votave, duke denoncuar prekje të integritetit të saj personal dhe të procesit demokratik në Kosovë.
Në një reagim të publikuar, Veselaj Gutaj ka theksuar se gjatë 20 viteve të karrierës së saj politike ka punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet.
Megjithatë, sipas saj, për herë të parë integriteti i saj po cenohet nga individë që kanë menaxhuar procesin zgjedhor me papërgjegjshmëri dhe agjenda të panjohura për të.
“Është pikërisht kjo formë e keqmenaxhimit të procesit zgjedhor që unë gjithmonë e kam luftuar. Tjetërsimi i votës është krimi më i madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor,” ka deklaruar Veselaj Gutaj.
Ajo ka kërkuar që rinumërimi i votave të bëhet në të gjitha komunat, në mënyrë që të dalin në shesh parregullsitë dhe të parandalohet përsëritja e tyre në të ardhmen.
“Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat, jo vetëm për transparencë, por edhe për të parandaluar që individë pa përgjegjësi të përdorin procesin zgjedhor si mjet për realizimin e agjendave të tyre personale. Kjo nuk është demokraci, është sabotim i shtetit dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekulli,” ka shtuar ajo.
Megjithatë, Veselaj Gutaj ka theksuar se nuk do të ndalet në rrugën e saj politike dhe do të vazhdojë me përgjegjësi, kompetencë dhe integritet, duke mos lejuar të bëhet peng i “mendësisë së shekullit të kaluar” që, sipas saj, pengon zhvillimin e shtetit.
— Dragash Info