Reagim për gjendjen e rrugës Globoçicë – Zlipotok – Baçkë – Brod: akuza për keqmenaxhim të parasë publike
Reagim për gjendjen e rrugës Globoçicë – Zlipotok – Baçkë – Brod: akuza për keqmenaxhim të parasë publike
Nedzmidin Sejdilar ka reaguar publikisht lidhur me gjendjen e rrugës që lidh fshatrat Globoçicë, Zlipotok, Baçkë dhe Brod, duke e cilësuar këtë projekt si shembull të dështimit dhe shpërdorimit të parasë publike. Sipas tij, projekti që duhej të kishte rëndësi kyçe për lidhjen e zonës së Gorës është shndërruar në simbol të papërgjegjësisë institucionale. Ai thekson se, edhe pse janë shpenzuar mjete të konsiderueshme, rruga vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë dhe rikonstruktohet pothuajse çdo vit pa përfunduar si duhet. Sejdilar vë në pah se qytetarët po përballen vazhdimisht me të njëjtin cikël: ndërhyrje të përkohshme, dëmtime të përsëritura dhe investime të reja, pa një zgjidhje të qëndrueshme. Në reagimin e tij, ai ngre disa pyetje për institucionet përgjegjëse: Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Pse organet mbikëqyrëse lejojnë realizimin e punimeve të tilla? Kush i aprovon projektet që rezultojnë të pasuksesshme? Dhe pse mungon reagimi institucional? Ai gjithashtu ka kritikuar mungesën e reagimit nga kryetari i Komunës së Sharrit, Bexhet Xheladini. Sipas Sejdilarit, ekziston dyshimi se projektet po përsëriten qëllimisht pas skadimit të garancioneve, për të mundësuar shpenzime të reja nga buxheti publik. Ai përfundon se kjo çështje tejkalon një projekt të vetëm rrugor dhe lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë institucionale dhe respektin ndaj qytetarëve. — Dragash Info