Reagim i ashpër nga Salajdin Fanaj ndaj LDK-së në Prizren: Kërkohet rithemelim urgjent i degës Salajdin Fanaj ka reag…
Reagim i ashpër nga Salajdin Fanaj ndaj LDK-së në Prizren: Kërkohet rithemelim urgjent i degës
Salajdin Fanaj ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale të Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe degradimin si të thellë e të pakthyeshëm pa ndërhyrje urgjente.
Sipas Fanajt, humbjet e rënda në dy palë zgjedhje – nacionale dhe lokale – brenda një viti janë dëshmi e qartë e shkatërrimit të degës së LDK-së në Prizren. Ai thekson se kjo gjendje është pasojë direkte e një udhëheqjeje të dështuar, me në krye Driton Selmanaj, të cilin e përshkruan si figurë pa peshë politike dhe pa përgjegjësi morale.
Fanaj akuzon udhëheqjen aktuale se po shpërblen rrethin e saj të ngushtë me pozita drejtorësh në një koalicion lokal pa legjitimitet, duke mbyllur sytë, sipas tij, para vjedhjes dhe blerjes së votës. Ai shton se ky mentalitet ka sjellë LDK-në e Prizrenit në një gjendje ku “mezi mund të quhet parti”.
“LDK-ja në Prizren duhet urgjentisht të rithemelohet. Jo më me Dritonë. Jo më me blerës votash. Jo më me servilë. Jo më me njerëz nga i njëjti kazan që e kanë zhytur partinë në këtë humnerë,” thuhet në reagimin e Fanajt.
Ai bën thirrje që rithemelimi të bëhet me njerëz të ndershëm, autoritativë, me integritet moral dhe politik, që u hapin rrugë të rinjve dhe rikthejnë shpresën dhe besimin e qytetarëve.
Në fund, Fanaj fton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët që e duan vërtet LDK-në në Prizren të reagojnë pa vonesë, ndërsa i bën thirrje edhe lidershipit qendror në Prishtinë të ndërhyjë menjëherë, duke paralajmëruar se heshtja në këtë rast përbën bashkëfajësi.
— Dragash Info