Rasti Thaçi dhe të tjerët: Tromp flet për dëshmitë e nivelit të lartë dhe skenarët e vendimit Hulumtuesja e Tribunali…
Rasti Thaçi dhe të tjerët: Tromp flet për dëshmitë e nivelit të lartë dhe skenarët e vendimit
Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, ka vlerësuar se dëshmitë e dëshmitarëve të nivelit të lartë të thirrur nga mbrojtja në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pasur një qëllim të qartë: të dëshmojnë mungesën e qëllimit kriminal të të akuzuarve.
Në një intervistë për KosovaPress, Tromp tha se përzgjedhja e figurave me peshë diplomatike dhe ushtarake nga mbrojtja nuk ka qenë rastësore, por pjesë e një strategjie të mirëllogaritur për të goditur elementin kyç të aktakuzës – “mens rea”, pra qëllimin kriminal.
Sipas saj, dëshmitë e figurave si James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan, James Peter Covey, Christopher Hill, Michael Durkee, si dhe dëshmia e gjeneralit të NATO-s Wesley Clark, kanë pasur rol vendimtar në paraqitjen e qëndrimit se udhëheqësit e UÇK-së nuk kanë pasur qëllim kriminal.
“Strategjia e mbrojtjes ishte shumë e mençur. Ata nuk e mohuan se krime kanë ndodhur në Kosovë, por theksuan se të akuzuarit nuk kishin qëllim kriminal dhe nuk janë përgjegjës për ato krime”, tha Tromp.
Ajo shtoi se në procedurat penale, përveç provimit të veprës penale (actus reus), duhet të vërtetohet edhe qëllimi kriminal, gjë që sipas saj prokuroria nuk e ka dëshmuar bindshëm në këtë rast.
Duke folur për skenarët e mundshëm të vendimit, Tromp theksoi se është e vështirë të parashikohet epilogu, pasi çdo vendim i shkallës së parë mund të apelohet.
“Ka disa skenarë: lirimi pa apel, lirimi me apel nga prokuroria, ose shpallja fajtor me apel nga të dyja palët. Probabiliteti i lirimit pa apel është rreth 20 për qind, lirimi me apel rreth 40 për qind, ndërsa gjykimi me apel nga të dyja palët po ashtu rreth 40 për qind”, deklaroi ajo.
Tromp theksoi se ky proces ka rëndësi të madhe jo vetëm për fatin individual të të akuzuarve, por edhe për interpretimin historik dhe politik të luftës çlirimtare të Kosovës. Ajo rikujtoi se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) asnjëherë nuk konstatoi se shqiptarët e Kosovës kishin krijuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Nëse Dhomat e Specializuara do ta mbështesnin një narrativë të tillë, kjo do ta barazonte historikisht UÇK-në me forcat serbe të sigurisë, gjë që do të kishte pasoja të rënda politike dhe historike për Kosovën”, paralajmëroi Tromp.
Ajo shtoi se një vendim i tillë do të përdorej nga pala serbe për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës dhe për të shtrembëruar narrativën historike të konfliktit.
Ndërkohë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, gjatë vitit të kaluar janë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup me thirrjen “Drejtësi për Çlirimtarët”. Një tjetër protestë pritet të mbahet më 17 shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”, në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023.
— Dragash Info