Botë

Rasti “Banjska” në fazën përfundimtare, pritet së shpejti shpallja e aktgjykimit Procesi gjyqësor për rastin e njohur…

04.01.2026. 4 min čitanja

Rasti “Banjska” në fazën përfundimtare, pritet së shpejti shpallja e aktgjykimit

Procesi gjyqësor për rastin e njohur si “Banjska” ndodhet në fazën përfundimtare, ndërsa në ditët në vijim pritet shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjatë vitit të kaluar, në këtë proces janë dëshmuar mbi dhjetë dëshmitarë, përfshirë zyrtarë të Policisë së Kosovës që ishin pjesë e njësisë së sulmuar gjatë aktit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Në mesin e dëshmitarëve ka qenë edhe zyrtari policor Alban Rashiti, i cili mbeti i plagosur gjatë sulmit. Rashitin e përfaqëson avokati Naim Rudari, i cili ka deklaruar se procesi është sfidues, pasi nuk është zbatuar gjykimi në mungesë për shumicën e të dyshuarve.

Sipas Rudarit, pavarësisht këtyre vështirësive, ekzistojnë prova të mjaftueshme që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
“Ky proces mbetet i mangët, pasi nga 42 të akuzuarit vetëm tre janë duke u gjykuar aktualisht. Gjatë procedurës kemi vërejtur se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë, për të cilët ende nuk ka aktakuza,” ka deklaruar Rudari.

Gati një vit pas sulmit terrorist, më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, ku si i akuzuari kryesor figuron Milan Radoiçiq, i cilësuar si udhëheqës i grupit terrorist. Të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ndërsa disa prej tyre edhe për financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parave.

Aktualisht, në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Avokati Rudari ka bërë të ditur se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, për të cilët pretendon se kanë dëshmuar rrejshëm, si dhe ndaj pronarit dhe drejtorit të hotelit “Rajnska Banja”, objekt ky që ndodhet pranë vendit ku ndodhi sulmi.

Ai thekson se tani pritet faza e dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes, si dhe shqyrtimi i provave materiale, përfshirë video-incizime të shumta.

Nga ana tjetër, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për këtë rast dhe se gjatë vitit 2026 pritet epilogu i shkallës së parë të gjykimit.

“Të akuzuarit janë arrestuar në ditën e sulmit, me armatim dhe prova të drejtpërdrejta që i lidhin me ngjarjen. Sfida mbetet sigurimi i dëshmitarëve, sidomos atyre që janë shtetas të Serbisë,” ka thënë Alija.

Nga sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku nga Vushtrria, ndërsa u plagos zyrtari Alban Rashiti dhe u lënduan edhe Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar prova të shumta, përfshirë armatim të rëndë, automjete të blinduara, pajisje komunikimi, dronë, dokumente dhe simbole nacionaliste serbe.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Serbia ende nuk ka dorëzuar personat kryesorë të dyshuar për këtë sulm terrorist.

— Dragash Info

Original Facebook objava