Botë

Radio Bambus ngre alarmin: Zgjedhjet në Gorë nën presion, frikë dhe shantazh politik Nesim Hodza gazetari dhe drejtor…

23.12.2025. 3 min čitanja

Radio Bambus ngre alarmin: Zgjedhjet në Gorë nën presion, frikë dhe shantazh politik

Nesim Hodza gazetari dhe drejtori i Radio Bambus, me seli në Restelicë të Komunës së Dragashit, ka ngritur një alarm publik lidhur me, siç thotë ai, shkelje serioze të procesit zgjedhor dhe presione sistematike ndaj qytetarëve të zonës së Gorës.
Sipas deklaratës së bërë publike, Radio Bambus ka dëgjuar drejtpërdrejt në terren shqetësimet e qytetarëve, të cilët pretendohet se po përballen me presione, shantazhe dhe forma të dhunës politike të organizuar. “Ky nuk është më proces zgjedhor, por një sistem frike”, thuhet në reagim.
Në deklaratë theksohet se organizimi i katër proceseve zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër kohore nuk përfaqëson demokraci, por një strategji për lodhjen dhe nënshtrimin e qytetarëve. Sipas pretendimeve, qytetarët kërcënohen me humbjen e vendit të punës dhe të ekzistencës, ndërsa votohet nën urdhër dhe jo në mënyrë të lirë.
Një nga akuzat më të rënda lidhet me kërkesën për fotografimin e fletëvotimit, e cila cilësohet si shkelje e rëndë ligjore dhe dëshmi e asaj që quhet “diktaturë zgjedhore”. Po ashtu, pretendohet se shumë qytetarë detyrohen të largohen nga vendlindja ditë para zgjedhjeve për t’iu shmangur presioneve dhe hakmarrjes.
“Vota blihet, varfëria shfrytëzohet dhe frika përdoret si mjet politik”, thuhet më tej në reagim, duke shtuar se zona e Gorës po zbrazet qëllimisht, ndërsa ata që guxojnë të flasin ndëshkohen.
Në fund, gazetari dhe drejtori i Radio Bambus u bën thirrje UNMIK-ut, OSBE-së, EULEX-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që të ndalin heshtjen dhe të reagojnë urgjentisht. Sipas tij, çdo mosreagim i mëtejshëm përbën bashkëpërgjegjësi në shkeljen e demokracisë.
Radio Bambus e cilëson këtë si “alarm publik dhe paralajmërimin e fundit”, duke theksuar se situata e krijuar nuk është më çështje politike, por “luftë për mbijetesë, liri dhe dinjitet njerëzor”.

Original Facebook objava