Qytetarët e Dragashit thërrasin për organizim urgjent të protestës paqësore për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme…
Qytetarët e Dragashit thërrasin për organizim urgjent të protestës paqësore për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të rrymës
Përfaqësues të fshatrave, lagjeve dhe iniciativa qytetare nga Komuna e Dragashit kanë bërë thirrje për një mbledhje urgjente, me qëllim që të arrihet dakordim i përbashkët për organizimin e një proteste paqësore, si reagim ndaj ndërprerjeve të shpeshta dhe të gjata të energjisë elektrike.
Sipas thirrjes publike, qytetarët e Dragashit po përballen çdo ditë me mungesë të rrymës, duke jetuar në errësirë dhe të ftohtë, çka po shkakton dëme ekonomike, vështirësi serioze në jetën e përditshme dhe, siç thuhet, mungesë dinjiteti njerëzor.
“Rryma nuk është luks, por e drejtë bazë.
Ndërsa qytetarët vuajnë pasojat, politikanët heshtin nga zyrat e tyre të ngrohta”, thuhet në reagim.
Organizatorët e nismës e cilësojnë situatën si neglizhencë të pastër dhe dështim institucional, duke kërkuar:
përgjegjësi të menjëhershme nga institucionet përkatëse,
angazhim konkret të politikanëve për zgjidhjen e krizës energjetike në Dragash,
ndërprerje të abuzimeve ndaj qytetarëve nga KEDS dhe KESCO.
Ata paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë zgjidhje konkrete, duke theksuar se heshtja qytetare ka marrë fund.
Njëkohësisht, organizatorët kanë ftuar edhe mediat lokale dhe qendrore që ta mbulojnë këtë protestë, duke e vënë në pah gjendjen e rëndë energjetike në Dragash.
— Dragash Info


