PZAP refuzon ankesën e PDK-së për votat e diasporës të pranuara pas 29 dhjetorit Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Paras…
PZAP refuzon ankesën e PDK-së për votat e diasporës të pranuara pas 29 dhjetorit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kishte kërkuar që të mos numëroheshin fletëvotimet e diasporës të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.
Vendimi është marrë në seancën e mbajtur më 9 janar 2026, nga paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli (kryesues), Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj.
PDK kishte kontestuar administrimin e procesit të numërimit të votave nga jashtë Kosovës, duke kërkuar anulimin e të gjitha fletëvotimeve që, sipas saj, janë pranuar pas afatit ligjor të përcaktuar, përfshirë ato të datave 2 dhe 5 janar 2026.
Në ankesën e saj, PDK kishte kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ) të përjashtojë nga numërimi këto vota, duke pretenduar se pranimi i tyre përbën shkelje të procedurave ligjore zgjedhore.
Megjithatë, PZAP ka vlerësuar se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe, për këtë arsye, e ka hedhur poshtë pa hyrë në shqyrtim të përmbajtjes së saj.
Ky vendim hap rrugën për vazhdimin e numërimit dhe përfshirjen në rezultate të votave të diasporës që janë pranuar edhe pas datës 29 dhjetor 2025.
— Dragash Info


