Publikohet numri i pestë i revistës “Karriera”: Inteligjenca artificiale në fokus të tregut të punës Universiteti i P…
Publikohet numri i pestë i revistës “Karriera”: Inteligjenca artificiale në fokus të tregut të punës
Universiteti i Prishtinës ka publikuar sot numrin e pestë të revistës “Karriera”, botim i Qendrës për Zhvillim të Karrierës, e cila synon të informojë dhe orientojë studentët dhe të diplomuarit në ndërtimin e karrierës së tyre profesionale.
Revista “Karriera” është e dedikuar për mbështetjen e studentëve të UP-së në përgatitjen për tregun e punës, duke ofruar këshilla praktike, informacione mbi punësimin, kërkesat e tregut dhe zhvillimet bashkëkohore në fusha të ndryshme profesionale.
Numri i pestë i revistës, i publikuar në dhjetor 2025, i kushtohet temës së inteligjencës artificiale, duke trajtuar rolin, rëndësinë dhe sfidat që kjo teknologji paraqet për profesionet e së ardhmes, transformimin e tregut të punës dhe nevojën për zhvillimin e aftësive të reja profesionale. Përveç artikujve tematikë mbi inteligjencën artificiale, revista përmban edhe shkrime lidhur me punësimin, marrëdhëniet me punëdhënësit dhe mundësitë profesionale për të rinjtë.
Si në numrat paraprakë, edhe këtë herë revista hapet me një fjalë hyrëse nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, ku theksohet rëndësia e përgatitjes profesionale të studentëve dhe roli i universitetit në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.
Publikimi i revistës “Karriera” Nr. 5 përbën një hap të radhës në përpjekjet e Universitetit të Prishtinës për fuqizimin e studentëve dhe të diplomuarit me njohuri, orientim dhe mjete praktike për një integrim sa më të suksesshëm në tregun e punës.
Revista e plotë është e qasshme në uebfaqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,38,3711