Pse u arrestua ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku?
Pse u arrestua ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku? Dyshime për keqpërdorim mbi 1 milion euro
Ish-drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, është arrestuar në kuadër të një aksioni të gjerë policor të urdhëruar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nën dyshimet për keqpërdorim të rëndë financiar dhe pagesa të paautorizuara që kapin vlerën mbi 1 milion euro.
Sipas burimeve të hetimit, rasti ka buruar nga gjetjet e Auditimit të Brendshëm të BKS-së, i cili ka zbuluar parregullsi serioze gjatë viteve 2022–2023, periudhë që përkon me drejtimin e Mazrekut.
Pagesa jashtë procedurave ligjore
Raporti i auditimit evidenton se gjatë kësaj periudhe janë kryer 166 pagesa nga llogaritë e BKS-së, të cilat nuk kanë kaluar nëpër procedurat standarde ligjore dhe janë realizuar jashtë sistemit zyrtar të menaxhimit të dëmeve.
Shuma totale e shpërndarë arrin në 1,043,284 euro, të cilat figurojnë si kompensime dëmesh, por për shumicën e rasteve mungon dokumentacioni bazë ligjor, përfshirë:
raportet e Policisë së Kosovës për aksidentet,
vendimet e komisionit të dëmeve,
raportet e ekspertizës,
dhe evidenca në databazën zyrtare të BKS-së.
Auditimi i ka cilësuar këto shpenzime si “Rrezik i Lartë”, duke theksuar se nuk mund të vërtetohet nëse mjetet janë përdorur për dëme reale apo për qëllime të tjera, çka ngre dyshime serioze për abuzim financiar dhe shpëlarje parash.
Përfitues pa kërkesa zyrtare
Gjetjet tregojnë se mjetet janë shpërndarë te 43 individë dhe një subjekt juridik, të cilët figurojnë si përfitues, ndonëse nuk kanë paraqitur asnjëherë kërkesë zyrtare për dëm në sistemin e BKS-së.
Në komentet zyrtare të menaxhmentit të përfshira në raportin e auditimit, pranohet se Departamenti i Financave nuk ka pranuar urdhërpagesa zyrtare, ndërsa pagesat janë realizuar jashtë mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Kompensime të dyfishta dhe manipulim përgjegjësie
Raporti dokumenton gjithashtu:
kompensime të dyfishta, ku për të njëjtin aksident janë paguar njëkohësisht pala e dëmtuar dhe kompania e huaj e sigurimit;
raste ku përgjegjësia për aksidentin është ndryshuar nga 50% në 100%, pa asnjë ekspertizë shtesë, duke rritur në mënyrë artificiale vlerën e dëmit.
Hetimi penal dhe masa të mëhershme
Bazuar në këto gjetje, organet e BKS-së e kanë dërguar rastin për hetim penal. Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës më herët e kishte përjashtuar Sami Mazrekun nga industria e sigurimeve për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas burimeve të Insajderit, Prokuroria e Prizrenit ka gjetur elemente të mjaftueshme për zgjerimin e hetimit, i cili tashmë përfshin rreth 40 persona të dyshuar. Arrestimi i Mazrekut konsiderohet si rezultat direkt i këtij procesi hetimor, që lidhet me dyshime për keqmenaxhim, pagesa të paautorizuara dhe shkelje të rënda ligjore brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
— Dragash Info