Botë

Pritet intensifikim i marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipëris…

12.01.2026. 3 min čitanja

Pritet intensifikim i marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci

Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë pritet të hyjë në një fazë të re intensifikimi gjatë muajve në vijim, në kuadër të marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes të nënshkruar më 18 mars 2025.

Marrëveshja trepalëshe, e cila përfshin dhjetëra pika të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, parasheh edhe investime të përbashkëta në municion dhe pajisje ushtarake. Sipas ekspertëve të sigurisë, në kuadër të kësaj dakordance përfshihet edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, përfshirë prodhimin e armëve dhe municioneve të lehta.

Njohësi i sigurisë, Fatjon Softa, vlerëson se rritja graduale e buxheteve të mbrojtjes në rajon do të reflektohet drejtpërdrejt në investime në teknologji, infrastrukturë dhe armatim.

“Kjo rritje e buxhetit të mbrojtjes do të orientohet drejt teknologjisë, infrastrukturës dhe armatimit. Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten për prodhimin e armëve të lehta që i shërbejnë këmbësorisë dhe Forcave të Armatosura”, u shpreh Softa.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka shkaktuar shqetësim te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Softa thekson se çdo cenim i sigurisë së këtyre tri shteteve, veçanërisht për shkak të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, do të kishte implikime serioze në aspektin e sigurisë kolektive.

“Në rast të një cenimi të territorit të Kosovës, Shqipërisë apo Kroacisë, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s do të aktivizonte mekanizmat e mbrojtjes kolektive”, thekson ai.

Nga ana tjetër, njohësi i sigurisë Avni Islami vlerëson se bashkëpunimi trelateral ka rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe gjeostrategjike për Ballkanin Perëndimor.

“Pas formimit të qeverisë së re, pritet që marrëveshja të vazhdojë të zbatohet dhe të konkretizohet më tej. Ajo është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilitetin, paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon”, u shpreh Islami.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në fushën e bashkëpunimit ushtarak konkretizohen edhe me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet ministrit në detyrë të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Pirro Vengo.

Kjo marrëveshje parasheh prodhimin e përbashkët të autoblindës ushtarake SHOTA, e cila do të prodhohet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të industrisë vendore të mbrojtjes dhe bashkëpunimit rajonal.

— Dragash Info

Original Facebook objava