Botë

Prishtinë – Punëtoria e parë mjekësore për futbollin kosovar Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me UEFA-n…

08.01.2026. 2 min čitanja

Prishtinë – Punëtoria e parë mjekësore për futbollin kosovar

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me UEFA-n, ka mbajtur sot punëtorinë e parë mjekësore në nivel vendi, duke bashkuar mjekët e ekipeve të Superligës, Ligës së Parë, futbollit të vajzave dhe ekipeve kombëtare.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit mjekësor në futbollin kosovar dhe është pjesë e projektit të FFK-së për kujdes të shtuar ndaj shëndetit të futbollistëve. Më parë, federata ka dhuruar defibrilatorë për klubet dhe ka punuar për përafrimin e protokolleve mjekësore me standardet më të larta evropiane të UEFA-s.
Punëtorinë e drejtoi ekipi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës – Dr. Amir Vejseli, Mustafë Januzaj, Argjent Hoti dhe Skifter Imeri – të cilët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre profesionale, të fituara përmes programeve të avancuara të UEFA-s.

Në fokus të ligjërimeve ishin menaxhimi i atakut kardiak, trajtimi i lëndimeve cervikale, rëndësia e fizioterapisë në futboll, si dhe menaxhimi i lëndimeve të toraksit dhe ekstremiteteve. Pjesa teorike u pasua me ushtrime praktike, që ofruan qasje konkrete për veprim në situata reale gjatë ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Federata e Futbollit e Kosovës thekson se mbrojtja e shëndetit të futbollistëve është themeli i zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit, dhe ngritja e kapaciteteve të stafit mjekësor mbetet një prioritet strategjik. Punëtoria synon gjithashtu standardizimin e protokolleve mjekësore, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet mjekëve të klubeve dhe ekipeve kombëtare, si dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme për edukim të vazhdueshëm, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

— Dragash Info

Original Facebook objava