Prince Caffe reagon: Lajmi për substancë të palejueshme është i rremë dhe i porositur nga konkurrenca Brendi Prince C…
Prince Caffe reagon: Lajmi për substancë të palejueshme është i rremë dhe i porositur nga konkurrenca
Brendi Prince Caffe ka reaguar ndaj një lajmi që po qarkullon në opinion, i cili pretendon se në produktet e tij është gjetur një substancë e palejueshme, duke e cilësuar atë si tërësisht të pavërtetë, të pabazuar në fakte dhe të porositur nga konkurrenca.
Në reagimin e tij zyrtar, Prince Caffe thekson se është një ndër brendet më cilësore në rajon, me shtrirje të gjerë ndërkombëtare dhe prani të drejtpërdrejtë në shumë shtete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimeve me brende globale prestigjioze.
Sipas njoftimit, Prince Caffe bashkëpunon me partnerë të njohur ndërkombëtarë si Amazon, Lidl, Interspar, Shell, Kaufman, Konzum, si dhe me kompani të tjera të nivelit të lartë.
Certifikime ndërkombëtare dhe standarde të larta
Brendi bën të ditur se të gjitha produktet e Prince Caffe prodhohen dhe operojnë në përputhje të plotë me certifikatat më të larta ndërkombëtare të cilësisë, sigurisë dhe standardeve ushqimore, duke përmbushur kriteret strikte të tregjeve evropiane dhe globale.
“Bashkëpunimet tona ndërkombëtare dhe zgjerimi i vazhdueshëm në tregje të reja janë rezultat i drejtpërdrejtë i besimit të partnerëve tanë dhe i përkushtimit të pakompromis ndaj cilësisë”, thuhet në reagim.
Akuza për fushatë të qëllimshme
Prince Caffe mohon kategorikisht pretendimet për praninë e ndonjë substance të ndaluar në produktet e saj, duke i cilësuar ato si lajm të rremë.
“Bazuar në mënyrën dhe qëllimin e shpërndarjes së këtij pretendimi, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për një veprim të porositur nga konkurrentë në treg, me synim dëmtimin e reputacionit të brendit”, thuhet në deklaratë.
Thirrje për raportim të përgjegjshëm
Prince Caffe u ka bërë thirrje mediave, institucioneve dhe palëve të përfshira që raportimi mbi çështje të tilla të bëhet në përputhje me etikën gazetareske, profesionalizmin dhe verifikimin e fakteve, duke shmangur publikimin e informacioneve të pavërtetuara që mund të dëmtojnë konsumatorët dhe bizneset.
Në fund të reagimit, kompania falënderon konsumatorët dhe bashkëpunëtorët për mbi 20 vjet besim dhe bashkëpunim të pandërprerë.
“Nuk është hera e parë që prodhimet e njësive të Devolli Corporation përballen me fushata të qëllimshme për njollosje të imazhit publik.
Megjithatë, përgjigjja jonë mbetet e njëjtë: transparencë, përputhshmëri ligjore dhe cilësi e dëshmuar ndërkombëtarisht”, përfundon reagimi.



