Policia e Kosovës paralajmëron për SMS mashtruese lidhur me gjoba në trafik Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët p…
Policia e Kosovës paralajmëron për SMS mashtruese lidhur me gjoba në trafik
Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një fushatë mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme paraqiten si njoftime nga “Autoritetet e Trafikut të Kosovës” lidhur me gjoba në trafik.
Sipas Policisë, këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese që synojnë të mashtrojnë qytetarët dhe të përfitojnë nga të dhënat e tyre personale apo financiare. Policia e Kosovës thekson se nuk ka dërguar asnjë mesazh të tillë dhe se bëhet fjalë për tentativa të qarta mashtrimi.
Në këtë drejtim, Policia u bën thirrje qytetarëve që:
të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;
të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;
të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;
t’i fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese;
dhe
në rast se kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, ta raportojnë menjëherë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës, si dhe ta paraqesin rastin në stacionin policor më të afërt.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve të tilla dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar.
— Dragash Info