Plagosje në Prizren: Identifikohen tre të dyshuar, në kërkim policor Policia e Kosovës ka identifikuar tre persona të…
Plagosje në Prizren: Identifikohen tre të dyshuar, në kërkim policor
Policia e Kosovës ka identifikuar tre persona të dyshuar lidhur me plagosjen që ndodhi mbrëmë në Prizren, ku si pasojë u lënduan dy persona.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të dyshuarit dyshohet se pas incidentit janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturë. Njësitë policore kanë realizuar bastisje në shtëpitë e tyre, ku në njërën prej tyre është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, e cila dyshohet të jetë me gaz.
“Është raportuar se dy viktima, meshkuj kosovarë, janë dërguar në emergjencën e spitalit në Prizren për shkak të dyshimit se janë plagosur me armë zjarri nga persona të dyshuar, të cilët pas incidentit janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore si dhe prokurori i shtetit, të cilët po hetojnë rrethanat e rastit. Tre të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë identifikuar dhe ndaj tyre janë kryer kontrolle, ndërsa një armë është sekuestruar si provë materiale.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të viktimave, Policia bën të ditur se njëri prej tyre është liruar për trajtim në shtëpi pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa tjetri ka mbetur nën trajtim të mëtejmë në spital.
“Të dyshuarit ndodhen në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u trajtuar në procedurë hetimore,” përfundon njoftimi.
— Dragash Info