Piraj: Mungesa e rrymës po rrezikon seriozisht prodhuesit vendor në Dragash Biznismeni dhe pronari i kompanisë MEKA /…
Piraj: Mungesa e rrymës po rrezikon seriozisht prodhuesit vendor në Dragash
Biznismeni dhe pronari i kompanisë MEKA / MekaHallallFood në Dragash, Burim Piraj, ka ngritur alarmin për problemet e vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike, duke thënë se mungesa e rrymës po paraqet një nga sfidat më të mëdha për prodhuesit vendorë, pavarësisht pritjeve se këto probleme tashmë do të ishin tejkaluar.
Duke folur në emisionin EURO n’T7, Piraj ka deklaruar se fabrika e tij, e cila punëson 85 punëtorë, po përballet ende me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, gjë që po ndikon drejtpërdrejt në procesin e prodhimit.
Sipas tij, kishte besuar se shteti do ta mbështeste më shumë një fabrikë prodhuese në një zonë rurale si Dragashi, sidomos duke marrë parasysh faktin se punësimi i dhjetëra punëtorëve ndihmon në parandalimin e migrimit, si drejt qyteteve të mëdha ashtu edhe drejt vendeve perëndimore.
“Kam menduar se duhet të mbështetet një fabrikë si e imja, që punëson 85 punëtorë. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Kam qëlluar në një linjë të furnizimit me energji ku nuk ka kryetar komune. E respektoj dhe e vlerësoj kryetarin aktual të Dragashit, por shumë herë ndodh që linja e tij të ketë rrymë, ndërsa linja ime jo. Po të isha unë kryetar, gjithmonë do t’i jepja përparësi fabrikës para vetes. Kjo nuk bëhet me qëllim nga kryetari, por nga distributori, i cili sigurohet që kryetari të mos mbetet pa rrymë, ndërsa për ne nuk konsiderohet problem”, ka deklaruar Piraj.
Ai ka theksuar se problemi me furnizim të rregullt me energji elektrike nuk është i izoluar vetëm në fabrikën e tij, por prek edhe shumë kompani të tjera prodhuese në vend, të cilat punësojnë një numër të madh të rinjsh dhe të rejash.
“Kompanitë nuk janë vetëm pronë private, ato janë edhe të Kosovës. Ne po punësojmë të rinj e të reja dhe po krijojmë mirëqenie. Ne jemi të përkohshëm, por vendet e punës që krijojmë janë jetike. Vetëm në kompaninë time 85 familje sigurojnë të ardhurat, e shumë të tjera nëpër gjithë vendin. Kur kompanitë kanë sukses, ka sukses edhe vendi; kur ato dështojnë, dështon edhe shteti”, ka shtuar ai.
Piraj ka bërë thirrje që institucionet qendrore dhe lokale, pa dallim politik, të bashkëpunojnë për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për furnizimin me energji elektrike.
“Është e papranueshme që 27 vjet pas luftës ende të kemi probleme elementare me rrymën. Për këtë çështje duhet të punojmë të gjithë”, ka përfunduar ai.
Kompania MekaHallallFood njihet edhe për praktikat e saj pozitive ndaj punëtorëve, duke qenë kompania e vetme në vend që brenda një viti ka ndarë jo 12, por 14 paga, si formë e shpërblimit dhe motivimit të stafit.
— Dragash Info