Përmbyllet rinumërimi i votave në Dragash: Kandidati i VV-së prin në heqjen e votave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (…
Përmbyllet rinumërimi i votave në Dragash: Kandidati i VV-së prin në heqjen e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përmbyllur procesimin e të gjitha votave të rinumëruara në Komunën e Dragashit, përmes platformës së tij elektronike.
Sipas KQZ-së, nga gjithsej 57 kuti votimi të rinumëruara në këtë komunë, janë procesuar rezultatet e të gjitha 57 kutive.
Në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në Dragash është vërejtur një diskrepancë e theksuar në numrin e votave të hequra pas rinumërimit. Kandidati për deputet nga kjo komunë, Filiz Mustafa, rezulton t’i ketë 231 vota më pak nga gjithsej 2,805 vota të rinumëruara.
Pas tij, Valon Hoti ka 45 vota më pak, Glauk Konjufca 28 vota më pak, ndërsa kryeministri Albin Kurti rezulton me 20 vota më pak pas rinumërimit.
Numër relativisht i lartë i votave të hequra është shënuar edhe te kandidati i PDK-së për deputet, Xhevahir Geci. Nga 264 vota të rinumëruara, atij i janë hequr 87 vota.
Megjithatë, sipas rezultateve të rinumërimit në Komunën e Dragashit, Filiz Mustafa mbetet kandidati me numrin më të madh të votave të hequra, duke u cilësuar si “kampion” i heqjes së votave në këtë proces.
Ndërkohë, rinumërimi i votave po vazhdon edhe në nivel vendi. Deri më tani, KQZ ka procesuar 856 kuti nga gjithsej 2,557 kuti që janë në proces rinumërimi, që përbën rreth 33.48 për qind të totalit.
— Dragash Info


