Përmbyllen aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë dit…
Përmbyllen aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, të shtunë, më 3 janar 2026, rreth orës 14:00, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë është përmbyllur verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në 262 vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga këto vendvotime.
Sipas KQZ-së, në platformën elektronike për publikimin e rezultateve do të procesohen rezultatet e të gjitha vendvotimeve ku procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të rregullt më 28 dhjetor 2025.
Gjithashtu, KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit në Qendrat Komunale të Numërimit është përmbyllur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në periudhën nga 29 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.
Aktivitetet e QKN-ve janë përfunduar në komunat: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Suharekë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë.
KQZ ka theksuar se publikimi dhe certifikimi i rezultateve do të vazhdojë sipas afateve të parapara ligjore.


