PDK në Malishevë kundër rikthimit të Fatmir Limajt në parti
PDK në Malishevë kundër rikthimit të Fatmir Limajt në parti
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Malishevë ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Arian Tahiri lidhur me mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limaj në listën e kësaj partie në rast të zgjedhjeve të reja. Sekretari organizativ i degës së PDK-së në Malishevë, Ruzhdi Kryeziu, në një prononcim për media ka kundërshtuar një rikthim të tillë, duke rikujtuar qëndrimet dhe veprimet e mëhershme të Limajt, veçanërisht në nivel lokal. Sipas tij, Limaj ka qenë vazhdimisht kritik dhe ka sulmuar strukturat e PDK-së në Malishevë, ndërsa gjatë fushatës së fundit zgjedhore kishte deklaruar se do të ishte pjesë e PDK-së në parlament, por pas zgjedhjeve nuk e kishte përmendur më këtë mundësi. Kryeziu shtoi se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Limaj kishte ndryshuar kurs politik, duke përmendur bashkëpunimin e tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës në nivel lokal. Ai komentoi edhe deklaratat e Tahirit, duke i cilësuar si të vonuara dhe duke sugjeruar se një qëndrim i tillë do të duhej të ishte shprehur më herët gjatë proceseve zgjedhore. Në fund, Kryeziu rekomandoi që drejtuesit qendrorë të partisë të vizitojnë degën e PDK-së në Malishevë për t’u njohur më nga afër me situatën dhe qëndrimet lokale lidhur me këtë çështje. — Dragash Info