Qendrore

Paralajmërohet valë e re e rritjes së çmimeve në Kosovë

28.03.2026. 3 min čitanja

Paralajmërohet valë e re e rritjes së çmimeve në Kosovë   Rritja e tensioneve dhe pasojat ekonomike nga konfliktet në Lindjen e Mesme po reflektohen edhe në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve në disa sektorë kyç. Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka paralajmëruar se çmimet do të vazhdojnë të rriten në periudhën në vijim, duke përfshirë derivatet e naftës, transportin ndërurban dhe artikujt bazë ushqimorë. Sipas Kaçanikut, situata në treg është e brishtë dhe shteti ka mundësi të kufizuara për të ndërhyrë në ndalimin e rritjes së çmimeve. “Shteti tanimë ka shumë pak mundësi për të bërë për ta parandaluar ngritjen e çmimeve. Kemi mbipopullim të pompave të derivateve – nga rreth 250 sa do të duhej të kishte Kosova, aktualisht janë rreth 800. Kjo krijon problem në kontroll dhe cilësi, si dhe dëshmon mungesë të një tregu të konsoliduar”, ka theksuar ai. Ai ka shtuar se rritja e çmimeve të derivateve po shkakton efekt zinxhir, duke ndikuar në shtrenjtimin e transportit dhe më pas edhe të produkteve të tjera, përfshirë prodhimet bujqësore dhe ushqimore si buka. Kaçaniku ka bërë thirrje që Autoriteti i Konkurrencës të ndërhyjë për të identifikuar dhe ndëshkuar subjektet që, sipas tij, po e prishin konkurrencën e lirë në treg. “Rritja e çmimeve te emergjentët shkakton efekt domino. Disa transportues që kanë paralajmëruar rritje çmimesh mund të jenë në kundërshtim me ligjin për konkurrencën e lirë. Autoriteti duhet të veprojë”, ka deklaruar ai. Ai gjithashtu ka theksuar se Kosovës nuk i mungojnë inspektorët, por përkushtimi në zbatimin e ligjit. “Nuk kemi nevojë për inspektorë shtesë, por për inspektorë të vullnetshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët përmes ndëshkimeve edukojnë tregun dhe parandalojnë abuzimet”, është shprehur Kaçaniku. Në fund, ai ka apeluar për vetëdijesim të qytetarëve dhe institucioneve për kursim, duke kujtuar se vendi duhet të jetë më i përgatitur për kriza të tilla ekonomike. “Në kohë krizash, duhet të mësohemi të kursejmë – si qytetarë ashtu edhe si shtet. Vetëm kështu mund të përballojmë sfidat që na presin”, ka përfunduar ai. — Dragash Info