OVL-UÇK reagon ndaj përgjigjes së Dhomave të Specializuara për Rezolutën e Kuvendit
OVL-UÇK reagon ndaj përgjigjes së Dhomave të Specializuara për Rezolutën e Kuvendit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj përgjigjes së Dhomave të Specializuara lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe zhgënjyese. Sipas reagimit, përgjigjja e Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk mund të trajtohet si një akt i thjeshtë formal, pasi reduktimi i një rezolute të tillë në një njoftim administrativ, pa reflektim konkret në përmbajtje, përbën mungesë serioziteti ndaj institucionit që vetë ka themeluar këtë gjykatë. OVL-UÇK thekson se Dhomat e Specializuara burojnë nga vendimmarrja e Kuvendit të Kosovës dhe nuk mund të sillen të shkëputura nga vullneti politik dhe sovran i tij. Sipas tyre, një qasje që në thelb përkthehet si “e kemi marrë në dijeni, por veprojmë sipas tonës”, dëmton besimin në drejtësi. Në reagim gjithashtu theksohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë për liri dhe se udhëheqësit e saj meritojnë trajtim me dinjitet dhe barazi të plotë. Çdo proces që, sipas OVL-UÇK-së, injoron këtë realitet dhe vazhdon të rëndojë mbi Kosovën, nuk i shërben drejtësisë dhe paqes. Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që Rezoluta e Kuvendit të Kosovës të trajtohet me seriozitet të plotë dhe të reflektohet në vendimmarrje konkrete, duke theksuar se respektimi i sovranitetit dhe institucioneve të vendit nuk është opsion, por detyrim. — Dragash Info