OVL e UÇK-së kërkon tërheqjen e mbështetjes ndërkombëtare nga publikimi “Masakrat në Kosovë 1998–1999”
OVL e UÇK-së kërkon tërheqjen e mbështetjes ndërkombëtare nga publikimi “Masakrat në Kosovë 1998–1999”
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka njoftuar opinionin publik se i është drejtuar me një letër publike disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur publikimin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, të autorit Shkëlzen Gashi. Sipas njoftimit, letra u është dërguar këtyre institucioneve: Community Development Fund (CDF) – Ambasada e Suedisë në Kosovë Rockefeller Brothers Fund (RBF) Institute of International Education (IIE) Swiss Federal Department of Foreign Affairs (FDFA) – Ambasada e Zvicrës në Kosovë Cultural Heritage without Borders (CHwB) Kosovo Foundation for Open Society (KFOS) / Open Society Foundations Në këtë letër, OVL e UÇK-së ka kërkuar që këto institucione të tërheqin emrat e tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, duke shprehur shqetësime serioze për besueshmërinë dhe integritetin e përmbajtjes së tij. Sipas OVL-së, publikimi paraqet mungesë të metodologjisë së qartë kërkimore, duke mos përmbushur standardet e një studimi të mirëfilltë shkencor. Po ashtu, janë ngritur shqetësime për përfshirjen e rasteve të cilat cilësohen si “masakra” edhe pse, sipas vetë publikimit, mungojnë burime të mjaftueshme për to. Në reagim theksohet gjithashtu se klasifikimi i viktimave në kategori të ngurta mes civilëve dhe luftëtarëve nuk reflekton kompleksitetin e realitetit në terren dhe mund të çojë në interpretime të pasakta. OVL e UÇK-së ka evidentuar edhe mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave në disa raste, si dhe përdorimin e materialeve vizuale që, sipas tyre, nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet e paraqitura. “Përfshirja e institucioneve në mbështetjen e këtij publikimi nuk është neutrale dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij,” thuhet ndër të tjera në letër. Në fund, OVL e UÇK-së thekson se ruajtja e së vërtetës historike është një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm, duke kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të distancohen nga ky publikim. — Dragash Info