Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për BBC…
Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për BBC se Kosova ka përvojë konkrete se si ndërtohet dhe ruhet paqja, duke u bazuar në historinë e saj të dhimbshme dhe në mbështetjen vendimtare ndërkombëtare.
Osmani, e cila është një nga lideret botërore të përfshira në Bordin e Paqes të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka theksuar se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar.
Ajo ka rikujtuar se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta, ndërsa ndaj popullit të saj ishte duke u kryer gjenocid.
Sipas saj, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, ishte vendimtare për shpëtimin e jetëve dhe për hapjen e rrugës drejt paqes, lirisë dhe pavarësisë.
“Kosova e di se çfarë do të thotë lufta, por edhe se si arrihet paqja, kur bota demokratike qëndron e bashkuar”, ka theksuar Osmani në intervistën për BBC.
Ajo shtoi se përvoja e Kosovës mund të shërbejë si shembull për vendet që përballen me konflikte, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit me aleatët dhe të angazhimit të vazhdueshëm për paqe të qëndrueshme.
— Dragash Info