Osmani dhe Begaj konfirmojnë pjesëmarrjen në marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 Shkurt Përfaqësuesja e organizatës…
Osmani dhe Begaj konfirmojnë pjesëmarrjen në marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 Shkurt
Përfaqësuesja e organizatës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka konfirmuar se në marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të marrin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Marshi organizohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Në një prononcim për emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova, Hoxha bëri të ditur se Presidentja Osmani i është përgjigjur pozitivisht ftesës së organizatorëve.
“Ne kemi qenë dhe kemi takuar presidenten dhe ajo ka përgjigjur pozitivisht ftesës sonë. Ka komunikuar dhe ka shprehur gatishmërinë që të vijë me një grup nga Presidenca në marsh.
Gjithashtu ka ofruar mbështetje për çështjet që kemi pasur mundësi të diskutojmë”, deklaroi Hoxha.
Ajo shtoi se organizatorët janë të lumtur edhe për konfirmimin e pjesëmarrjes së Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke shprehur shpresën që këtij marshimi t’i bashkohen edhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Marshi “Drejtësi, jo politikë” pritet të mbahet më 17 shkurt, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.
— Dragash Info