Operacion ndërkombëtar me EUROPOL-in: Avokati i Petrit Bahtijarit demanton lajmet për arrestim Nën udhëheqjen e Proku…
Operacion ndërkombëtar me EUROPOL-in: Avokati i Petrit Bahtijarit demanton lajmet për arrestim
Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar më 22 janar një operacion policor në kuadër të një hetimi të gjerë ndërkombëtar, të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Katanias, i cili ka përfshirë edhe territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni ka pasur për qëllim verifikimin, identifikimin dhe sekuestrimin e provave relevante që ndërlidhen me dyshime për krim financiar dhe pirateri audiovizive. Hetimet kanë të bëjnë me një sistem të sofistikuar informatik IPTV, i cili dyshohet se është përdorur në mënyrë të paligjshme nga miliona përdorues në nivel ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij operacioni, me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë realizuar bastisje në dy lokacione, një në Prishtinë dhe një tjetër në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhen me dyshime për veprat penale “Cenim i të drejtave të autorit”, sipas nenit 290 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 i të njëjtit kod. Në mesin e personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast është përmendur edhe një shtetas i Kosovës me inicialet P.B.
Pas raportimeve të disa mediave për arrestimin e tij, ka reaguar avokati Asdren Hoxha, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka demantuar këto pretendime, duke theksuar se klienti i tij, Petrit Bahtijari, nuk është arrestuar.
Sipas avokatit Hoxha, pas kontaktit të drejtpërdrejtë me Bahtijarin është konfirmuar se ai gjendet jashtë vendit dhe nuk është ndaluar nga asnjë autoritet. Ai ka vlerësuar se raportimet për arrestim janë të pavërteta dhe përbëjnë dezinformim, duke cenuar rëndë reputacionin dhe dinjitetin personal të klientit të tij dhe familjes së tij.
Avokati ka kërkuar nga mediat që kanë publikuar këto lajme të pasakta të bëjnë përgënjeshtrimin e menjëhershëm, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, do të ndërmerren veprime juridike për mbrojtjen e të drejtave të cenura.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër krimit financiar dhe atij ekonomik, duke bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet e disa shteteve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën, Rumaninë, si dhe Kanada-n, Indinë, Korenë e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.
— Dragash Info