Operacion ndërkombëtar kundër krimit financiar, bastisje edhe në Kosovë Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Repu…
Operacion ndërkombëtar kundër krimit financiar, bastisje edhe në Kosovë
Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor në kuadër të një hetimi të koordinuar ndërkombëtarisht me EUROPOL-in dhe Prokurorinë e Katanias në Itali.
Operacioni ka përfshirë bastisje në dy lokacione në Kosovë – në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit – nën dyshimin për veprat penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.
Hetimet ndërkombëtare kanë zbuluar se një pjesë e këtij grupi kriminal përfshinte edhe një shtetas të Kosovës me inicialet P.B. Operacioni ka çuar në eliminimin e një infrastrukture të sofistikuar IPTV, që shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Përveç Kosovës, operacioni u zhvillua edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, me bashkëpunim të ngushtë nga Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe, të cilat do të shërbejnë si prova në hetimet e mëtejshme.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ritheksojnë angazhimin e tyre në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik.
— Dragash Info