Botë

Onkologu Ilir Kurtishi: Në rritje shqetësuese rastet e kancerit të qafës së mitrës në Kosovë Numri i rasteve me kance…

01.02.2026. 4 min čitanja

Onkologu Ilir Kurtishi: Në rritje shqetësuese rastet e kancerit të qafës së mitrës në Kosovë

Numri i rasteve me kancer të qafës së mitrës në Kosovë po shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa një pjesë e madhe e pacienteve diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes, kur trajtimi bëhet më i ndërlikuar dhe prognoza më e pafavorshme.

Kështu ka deklaruar drejtori i Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dr. Ilir Kurtishi, i cili ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 100 raste të kancerit të qafës së mitrës. Sipas tij, për kanceret e organeve gjenitale në përgjithësi, numri i rasteve ka arritur në 170–180, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024.

Kurtishi ka theksuar se Klinika Onkologjike është në bashkëpunim të ngushtë me Klinikën e Gjinekologjisë për ofrimin e trajtimeve bashkëkohore. Në rastet e hershme, pacientet trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa në fazat e avancuara aplikohet trajtimi i kombinuar me radioterapi dhe kimioterapi.

“Edhe numri i pacientëve me këtë sëmundje nga viti në vit ka tendencë rritjeje. Vetëm gjatë vitit 2025 kemi mbi 100 raste të kancerit të qafës së mitrës, ndërsa për organet gjenitale në përgjithësi numri shkon deri në 170–180 raste, që është më i lartë se në vitin paraprak”, ka deklaruar Kurtishi.

Sipas tij, shqetësim i veçantë mbetet fakti se shumë gra paraqiten për trajtim në faza të avancuara, kur sëmundja nuk është më e operueshme. Kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e mundësive për shërim dhe përmirësim të cilësisë së jetës së pacienteve. Ai ka bërë të ditur se raste të kësaj sëmundjeje po evidentohen gjithnjë e më shpesh edhe te gratë e moshës 40–50 vjeç, shumë prej të cilave rezultojnë pozitive për virusin HPV.

Kurtishi ka shtuar se programi i vaksinimit kundër HPV-së, i nisur nga Ministria e Shëndetësisë, pritet të japë rezultate konkrete vetëm pas disa vitesh, duke theksuar se efektet e plota priten pas rreth një dekade.

Infeksioni me HPV konsiderohet faktori kryesor për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, ndërsa faktorë të tjerë rreziku përfshijnë moslindjen, martesën e vonshme, ndërrimin e shpeshtë të partnerëve, sëmundjet shoqëruese, ndikimet mjedisore, pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit si dhe predispozitat gjenetike.

Në këtë kontekst, ai ka bërë thirrje që gratë mbi moshën 34 vjeç të kryejnë rregullisht PAP-testin, të paktën një herë në vit ose sipas rekomandimit të mjekut, me qëllim të zbulimit të hershëm të ndryshimeve patologjike.

Drejtori i Klinikës Onkologjike ka vlerësuar se rritja e rasteve agresive lidhet edhe me nivelin ende të pamjaftueshëm të edukimit shëndetësor dhe me mosfunksionimin e plotë të programeve kombëtare të skriningut.

“Numri i rasteve të tilla këto dy-tri vitet e fundit është në rritje, dhe kjo tregon se edukimi shëndetësor i popullatës sonë ende nuk është në nivelin e duhur”, ka përfunduar Kurtishi.

— Dragash Info

Original Facebook objava