Nxënësit e ShML “Ruzhdi Berisha” mësojnë për rreziqet e ngacmimeve dhe sigurinë online Sot, në Sallën e Aktiviteteve…
Nxënësit e ShML “Ruzhdi Berisha” mësojnë për rreziqet e ngacmimeve dhe sigurinë online
Sot, në Sallën e Aktiviteteve Kulturore të Shkollës së Mesme “Ruzhdi Berisha”, nxënësit e klasave të dhjeta morën pjesë në një takim informues, të organizuar nga Stacioni Policor i Dragashit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi mbi ngacmimet seksuale dhe kibernetike, si dhe rreziqet e përdorimit të pakontrolluar të rrjeteve sociale.
Në takim morën pjesë rreshteri Imet Hasani, zyrtari i inteligjencës Lulzim Berisha, polic i komunitetit Maliq Ahmeti dhe zyrtarja në operativë Someja Shaniu. Autoritetet policore u fokusuan në pasojat ligjore të këtyre veprimeve, duke theksuar se ngacmimet seksuale dhe kibernetike dënohen deri në 3 vjet burgim, dhunimet 2–10 vjet, ndërsa sulmet seksuale dhe denigrimi i personalitetit sjellin dënime të ndryshme sipas ligjit.
Lulzim Berisha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes nxënësve, shkollës dhe policisë për parandalimin e incidenteve dhe rritjen e sigurisë në shkollë dhe komunitet.
Nxënësve u dhanë shembuj konkretë, këshilla praktike dhe udhëzime për raportimin e rasteve të ngacmimeve, duke theksuar respektin dhe dinjitetin e individit.
Shkolla falënderon Policinë e Kosovës për përkushtimin në edukimin e të rinjve dhe nxënësit për pjesëmarrjen aktive.
— Dragash Info



