Botë

Një vit nga zhdukja e veteranit të UÇK-së Zylfi Tejeci, familja ende në ankth Është bërë një vit nga zhdukja e vetera…

16.01.2026. 3 min čitanja

Një vit nga zhdukja e veteranit të UÇK-së Zylfi Tejeci, familja ende në ankth

Është bërë një vit nga zhdukja e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zylfi Tejeci nga Prizreni, ndërsa familja e tij vazhdon të jetojë mes ankthit dhe pasigurisë, pa asnjë informacion për fatin e tij.

Zylfi Tejeci është parë për herë të fundit më 23 janar të vitit të kaluar, ndërsa rasti është raportuar në Policinë e Kosovës tri ditë më vonë nga djemtë e tij, të shqetësuar për mungesën e çdo kontakti me të.

Djali i tij, Isuf Tejeci, ka deklaruar se familja nuk është ndalur asnjëherë së kërkuari dhe se për një vit të tërë nuk kanë marrë asnjë informacion konkret për vendndodhjen e babait të tyre.

“Që një vit jemi duke e kërkuar dhe nuk jemi ndalur asnjëherë. Rasti është raportuar më 26 janar dhe policia i ka nisur hetimet. Për herë të fundit baba është parë më 23 janar. Që nga ajo ditë nuk kemi pasur më asnjë kontakt me të,” ka thënë Isufi.

Ai ka treguar se ditën e zhdukjes kishte folur me të atin në telefon, i cili i kishte thënë se po kthehej në shtëpi pas një tubimi politik në Prizren, në kohë fushate.

“Pas atij tubimi, baba ka hipur në veturë dhe që nga ajo kohë askush nuk e di se ku ka shkuar. Nuk dimë as nëse është gjallë apo jo. Vetura e tij është gjetur pas dy javësh në Pejë, ndërsa personi që ishte me të në veturë është arrestuar,” ka deklaruar ai.

Sipas familjes, Zylfi Tejeci nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të sjelljes së dyshimtë para zhdukjes dhe nuk kishte pasur probleme me askënd.

“Nuk ka pasur borxhe, mosmarrëveshje apo telashe me askënd. Katër ditë para zhdukjes kishte qenë tek unë në Mal të Zi. Kemi biseduar normalisht dhe nuk kam vërejtur asgjë të pazakontë,” shton Isufi.

Familja Tejeci thotë se gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, por pa ndonjë rezultat konkret.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, dhe se hetimet janë ende duke vazhduar.

“Në këtë fazë të hetimit mund të konfirmohet vetëm se vetura është gjetur. Detaje të tjera nuk mund të jepen pasi rasti është ende nën hetime. Kërkimet për personin e zhdukur nuk janë ndërprerë asnjëherë,” thuhet në deklaratën e DRP Prizren.

Një vit pas zhdukjes, familja Tejeci vazhdon të presë me shpresë, duke kërkuar përgjigje për fatin e më të dashurit të tyre.

— Dragash Info

Original Facebook objava