Botë

Një miliard euro për Kosovën presin “po”-në e deputetëve Mbi një miliard euro fonde ndërkombëtare po presin të shfryt…

08.01.2026. 3 min čitanja

Një miliard euro për Kosovën presin “po”-në e deputetëve

Mbi një miliard euro fonde ndërkombëtare po presin të shfrytëzohen nga Kosova, por miratimi i tyre vazhdon të mbetet peng i vendimeve të Kuvendit të Kosovës.

Mungesa e institucioneve të reja gjatë vitit 2025 ka bërë që Kosova të mos përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Reformave dhe Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim të Bankës Botërore.

Këto marrëveshje ndërkombëtare kanë mbërritur te deputetët e legjislaturës së tetë që në fund të vitit 2024, por ratifikimi i tyre është bllokuar. Me legjislaturën e dhjetë, LVV-ja dhe partitë opozitare pritet të vendosin nëse fondet do të shfrytëzohen pa vonesa.

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka apeluar që votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të mos lidhet me zgjedhjen e presidentit:

“Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet për këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është fazë tjetër.”

Edhe LDK-ja ka deklaruar se nuk do të bllokojë miratimin e marrëveshjeve që janë në interes të Kosovës, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dhënë koment zyrtar, megjithëse kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se partia e tij do të kontribuojë për gjithçka që është në dobi të vendit.

Çfarë përmbajnë këto fonde?

Rreth 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, për reformë dhe zhvillim ekonomik.

Mbi 90 milionë euro nga ANZH e Bankës Botërore për përmirësimin e financave publike.
21 milionë euro për ndërtimin e çerdheve dhe trajnimin e stafit.

18.6 milionë euro për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë.

Ekspertët paralajmërojnë se Kosova ka vonuar nisjen e reformave të kërkuara dhe rrezikon që fondet të mbeten të pa-shfrytëzuara nëse mungon konsensusi politik për ratifikimin e marrëveshjeve. Afati për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve me Bankën Botërore për disa projekte është 13 shkurt 2026.

Përbërja e re e Kuvendit do të jetë vendimtare për të dhënë dritën e gjelbër fondeve, edhe nëse rrezikon stabilitetin e legjislaturës së dhjetë.

— Dragash Info

Original Facebook objava