Një ditë pas zgjedhjeve, VV-ja dhe PDK-ja arrijnë marrëveshje në Podujevë – Isak Shabani zgjidhet kryesues i Kuvendit…
Një ditë pas zgjedhjeve, VV-ja dhe PDK-ja arrijnë marrëveshje në Podujevë – Isak Shabani zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal
Vetëm një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje bashkëqeverisëse në komunën e Podujevës.
Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, Isak Shabani nga radhët e PDK-së është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal, me shumicë votash nga anëtarët e kuvendit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi publik, ku ka konfirmuar zgjedhjen e Shabanit në këtë pozitë.
“Isak Shabani është zgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës me shumicë të votave nga kuvendarët. E uroj për detyrën e re dhe i shtrij dorën e bashkëpunimit, me bindjen se përmes punës së përbashkët do t’i shërbejmë më së miri qytetarëve të Podujevës”, ka shkruar Bulliqi.
Marrëveshja ndërmjet VV-së dhe PDK-së vjen menjëherë pas procesit zgjedhor dhe pritet të ndikojë në funksionimin dhe stabilitetin institucional të komunës së Podujevës.