Nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, KQZ tregon numrin e votuesve të regjistruar Kom…
Nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, KQZ tregon numrin e votuesve të regjistruar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se mbrëmjen e së hënës, më 5 janar 2026, nga ora 20:00, ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe të votave të personave me nevoja të veçanta.
Këtë informacion për Dragash Info e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, numri i votuesve të regjistruar për votim me kusht ka qenë 9,990, ndërsa në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta janë regjistruar 2,860 votues.
“Mund t’iu konfirmoj se sonte (e hënë, 5 janar 2026, ora 20:00), në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka shtuar se, sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, të shpërndara në 38 komuna të vendit, në sistem janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për këtë formë votimi.
Ndërkohë, në QNR po zhvillohet edhe procesi i vlerësimit dhe verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës. Sipas KQZ-së, më 2 janar janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime nga kutitë postare në qytete të ndryshme botërore, përfshirë: Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanberra dhe Kopenhagë, të cilat më 5 janar kanë arritur në Kosovë.
“Pas përfundimit të vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të vazhdojë me numërimin e fletëvotimeve të aprovuara”, ka bërë të ditur Elezi.
Ai gjithashtu ka njoftuar se KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga 13 kuti postare, përfshirë ato në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë. Nga këto kuti janë tërhequr gjithsej 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë, do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta të verifikimit para numërimit.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon nën mbikëqyrjen e KQZ-së, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas përmbylljes së të gjitha fazave ligjore.
— Dragash Info