Nikaj: PDK nuk do të votojë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike paraprake Sekretari i Partisë Demokr…
Nikaj: PDK nuk do të votojë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike paraprake
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, ka bërë të ditur se PDK nuk do të përkrahë asnjë kandidat për president të Republikës së Kosovës pa një marrëveshje apo diskutim politik paraprak.
Në një deklaratë për Klan Kosova, Nikaj theksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar edhe në këtë proces zgjedhor, duke rikujtuar precedentët e kaluar.
“Edhe në vitin 2021, Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të votojë vetëm për një kandidat të propozuar nga z. Kurti, pa një marrëveshje ose diskutim politik. Edhe kësaj here nuk ka asnjë arsye që ne, pa diskutim politik apo dakordim, të shantazhohemi ose të kërcënohemi në votimin e cilitdo kandidat”, ka deklaruar Nikaj.
Ai shtoi se procesi i zgjedhjes së presidentit kërkon konsensus politik dhe përgjegjësi institucionale, e jo imponim të vullnetit të një subjekti të vetëm.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje siguroi mbi 50 për qind të votave dhe pritet ta formojë qeverinë pa vështirësi, u bë e qartë se kjo parti nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit pa mbështetjen e opozitës.
Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm dialogun dhe marrëveshjen ndërmjet forcave politike.
— Dragash Info