Qendrore

Ngërçi për presidentin: Kurti ende pa ftesë zyrtare për Hamzën, PDK kërkon formalizim të takimit

07.04.2026. 2 min čitanja

Ngërçi për presidentin: Kurti ende pa ftesë zyrtare për Hamzën, PDK kërkon formalizim të takimit width= Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës vazhdon të mbetet e paqartë, teksa lideri i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, ende nuk i ka dërguar ftesë zyrtare për takim kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ndonëse Kurti ka deklaruar publikisht se çelësi për zgjidhjen e ngërçit qëndron tek PDK-ja, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për një takim formal mes dy palëve. Nga ana tjetër, PDK ka bërë të ditur se Hamza i është përgjigjur interesimit të Kurtit, duke kërkuar që çdo iniciativë për takim të konkretizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që procesi të trajtohet me seriozitet institucional. Sipas tyre, vetëm pas një ftese të tillë, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe do të jepet një qëndrim përfundimtar. Ndërkohë, nga Vetëvendosje nuk është dhënë ende ndonjë sqarim pse nuk është dërguar një ftesë zyrtare, ndërsa vetë Kurti, pas takimit me Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar qëndrimin e PDK-së. Sipas Kurtit, PDK nuk ka propozuar asnjë emër konkret për president dhe ka kërkuar mbështetje pa transparencë, gjë që, sipas tij, e bën të pamundur arritjen e një marrëveshjeje politike. Ndërkohë, analisti politik Dardan Sejdiu ka deklaruar se zgjidhja e kësaj çështjeje është e thjeshtë nëse ekziston vullnet politik. Ai theksoi se në rast të një bashkëpunimi mes Kurtit dhe PDK-së, çështja e presidentit mund të zgjidhet brenda një kohe shumë të shkurtër. Situata mbetet e paqartë, ndërsa pritjet janë që ditët në vijim të sjellin lëvizje konkrete drejt zhbllokimit të procesit. — Dragash Info