Nga e enjtja ulje e ndjeshme e temperaturave: Reshje bore dhe rrezik nga ngricat Instituti Hidrometeorologjik i Kosov…
Nga e enjtja ulje e ndjeshme e temperaturave: Reshje bore dhe rrezik nga ngricat
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka paralajmëruar ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike nga dita e enjte, duke përfshirë ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje bore dhe rrezik të lartë nga ngricat.
Sipas njoftimit të IHK-së, temperaturat minimale do të shënojnë rënie të theksuar, duke zbritur nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
Po ashtu, gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të shndërrohen gradualisht në reshje bore, fillimisht në zonat më të larta dhe më pas edhe në disa zona më të ulëta.
“Pas reshjeve të dendura të shiut që gjatë tri ditëve të fundit kanë përfshirë kryesisht territorin e Rrafshit të Dukagjinit dhe me intensitet disi më të ulët edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike.
Sipas analizave sinoptike dhe vëzhgimeve aktuale, presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e IHK-së.
Instituti paralajmëron se këto kushte do të krijojnë rrezik për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresa bore dhe erëra të ftohta, mund të ndikojnë ndjeshëm në sigurinë e qarkullimit rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të hershëm.
— Dragash Info