Nga 1 prilli 2026 nis faza e dytë e liberalizimit të tregut energjetik në Kosovë
Nga 1 prilli 2026 nis faza e dytë e liberalizimit të tregut energjetik në Kosovë Kompania KESCO ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 hyn në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet e Zyra e Rregullatorit për Energji. Sipas njoftimit, në këtë fazë, bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara nga furnizuesi universal. Këto biznese obligohen të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur. Bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, një numër biznesesh nuk i plotësojnë më kushtet për të mbetur në skemën aktuale, prandaj nga kjo datë nuk do të mund të furnizohen më nga KESCO me tarifa të rregulluara. Bizneset që preken nga ky ndryshim duhet të nisin procedurat për zgjedhjen e furnizuesit të ri së paku 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës. Lista e furnizuesve të licencuar është e publikuar në faqen zyrtare të ZRrE-së. Në rast se nuk bëhet përzgjedhja me kohë, bizneset do të furnizohen përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Pas këtij afati, në mungesë të një kontrate të vlefshme, furnizimi mund të ndërpritet sipas ligjit. Ndërkohë, edhe bizneset që janë vetë-prodhues të energjisë (prosumatorë) njoftohen se nga 1 prilli përfundon skema aktuale me tarifa të rregulluara dhe energjia e prodhuar do të trajtohet sipas kontratës me furnizuesin e zgjedhur. KESCO u bën thirrje të gjitha bizneseve që preken nga kjo fazë të konfirmojnë dhe raportojnë te kompania shifrat e konsumatorit për të siguruar trajtim të saktë gjatë procesit të kalimit në tregun e hapur. Për informata shtesë, bizneset mund të kontaktojnë përmes emailit: komerciale@kesco-energy.com ose në numrat e telefonit të publikuar nga kompania. — Dragash Info