Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes KRU Hidroregjioni Jugor dhe Qendra e Kompetencës 11 Marsi për angazhimin e n…
Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes KRU Hidroregjioni Jugor dhe Qendra e Kompetencës 11 Marsi për angazhimin e nxënësve në punë praktike
Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet KRU “Hidroregjioni Jugor” dhe shkollës së mesme teknike Qendra e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren, me qëllim të angazhimit të nxënësve në punë praktike tremujore pranë kësaj kompanie publike.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe sektorit publik, duke u krijuar nxënësve mundësi konkrete për të fituar përvojë praktike, për të zhvilluar aftësitë profesionale dhe për t’u përgatitur sa më mirë për tregun e punës.
“Përmes këtij bashkëpunimi, nxënësit do të angazhohen në departamente të ndryshme të kompanisë, në përputhje me profilin e tyre arsimor, nën mbikëqyrjen e stafit profesional”, thuhet në njoftim.
Nga ana e saj, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve dhe në krijimin e mundësive konkrete për zhvillim profesional, duke kontribuar në lidhjen sa më të fortë mes shkollimit profesional dhe praktikës në terren.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së arsimit profesional dhe përfshirjes aktive të të rinjve në institucionet publike.
— Dragash Info