Botë

Nëna e dy binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin Familjarët e viktimave të…

12.01.2026. 3 min čitanja

Nëna e dy binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin

Familjarët e viktimave të luftës në Prizren kanë kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj Millosh Pleskoviqit, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte. Kërkesa u parashtrua gjatë seancës së mbajtur në Gjykata e Apelit, ku po shqyrtohet ankesa ndaj aktgjykimit të Gjykata Themelore në Prishtinë.

Mihrije Daçaj, nëna e dy binjakëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, deklaroi para trupit gjykues se dënimi aktual nuk përfaqëson drejtësi për humbjen dhe vuajtjet e familjes së saj, duke kërkuar që ndaj Pleskoviqit të shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm.

“Burg për jetë, se m’i kanë mbytur dy djemtë në Has. Nuk kam pasur çfarë të varros”, është shprehur ajo shkurt pas përfundimit të seancës.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, avokati Blend Gjini, i cili vlerësoi se dënimi prej 15 vjetësh është i ulët në raport me peshën e veprës penale.

Sipas tij, bëhet fjalë për vrasje të civilëve shqiptarë, ndërsa legjislacioni penal parasheh dënim deri në 20 vjet burgim, duke e bërë të pajustifikuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit.

Ai i kërkoi trupit gjykues që të refuzojë ankesën e avokates së Pleskoviqit dhe të shqyrtojë mundësinë e shqiptimit të një dënimi më të rëndë.

Millosh Pleskoviq ishte dënuar në korrik të vitit të kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte të kryera në Prizren. Sipas aktgjykimit, u vërtetua se ai, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte vrarë tre civilë shqiptarë dhe kishte plagosur disa të tjerë gjatë luftës.

Vendimi fillestar u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimave, të cilët e cilësuan dënimin si të papërputhshëm me peshën e krimit. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e kishte vlerësuar aktgjykimin si hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës.

Aktakuza ndaj Pleskoviqit ishte ngritur më 7 qershor 2024, pas kallëzimit penal të Policisë së Kosovës në shtator 2023. Ai ishte arrestuar më 29 shtator 2023, nën dyshimin se më 1 shtator 1998, në zonën e njohur si “Hoqa Mahalla” në Prizren, si pjesëtar i forcave serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen e civilëve shqiptarë.

Në procesin gjyqësor, Prokuroria Speciale kishte propozuar dëgjimin e 14 dëshmitarëve, përfshirë edhe një dëshmitar anonim me kodin F1.

© Dragash Info

Original Facebook objava