Botë

Në shkurt mbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendimi pritet pas fjalëve përfundimtare Pritjes së gjatë për p…

08.01.2026. 3 min čitanja

Në shkurt mbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendimi pritet pas fjalëve përfundimtare

Pritjes së gjatë për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë po i vjen fundi. Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë përmbyllur fazën e paraqitjes së provave dhe në muajin shkurt do të zhvillohen deklaratat përfundimtare të të gjitha palëve, para se të merret vendimi final.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka hyrë në fazën përfundimtare, pasi tashmë është mbyllur procedura e administrimit të provave në këtë rast, i cili konsiderohet si më i madhi i zhvilluar deri tani nga kjo gjykatë.

Sipas njoftimit zyrtar, fjalët përfundimtare janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, ndërsa si data rezervë janë caktuar edhe 16 dhe 18 shkurti. Në total, mbi 27 orë do të jenë në dispozicion për paraqitjen e qëndrimeve përfundimtare nga palët.

Prokurori i Specializuar do të ketë në dispozicion 8 orë për fjalën përfundimtare, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave 3 orë, ndërsa secili ekip mbrojtës i të akuzuarve nga 4 orë e gjysmë.

Nga Dhomat e Specializuara për Kosovën është sqaruar se pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do ta shpallë gjykimin të mbyllur dhe do të nisë procesin e këshillimit për aktgjykimin.

“Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të fillojë kuvendimet për aktgjykimin.

Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit. Në rrethana të veçanta, ky afat mund të zgjatet edhe për 60 ditë të tjera. Deri më tani nuk është caktuar datë për shpalljen e aktgjykimit”, kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Ndërkohë, monitoruesit e kësaj gjykate theksojnë se vendimi final pritet të jetë i bazuar në analizën e detajuar të provave dhe dëshmive të administruara gjatë procesit gjyqësor.

“Të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e paraqitura do të vlerësohen nga trupi gjykues. Gjatë fjalëve përfundimtare pritet një analizë më e thelluar e zhvillimeve të shqyrtimit kryesor dhe do të shihet nëse palët kanë arritur ta bindin trupin gjykues për të marrë një vendim në favorin e tyre”, ka deklaruar Amer Alija, monitorues nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH).

Dhomat e Specializuara për Kosovën janë aktualisht në pushim dimëror nga 22 dhjetori deri më 9 janar 2026, ndërsa procesi do të vazhdojë menjëherë pas kësaj periudhe.

— Dragash Info

Original Facebook objava