Botë

Në Dragash po zhvillohet Punëtoria Sindikale e BSPK-së – Strategji për zgjerimin dhe konsolidimin e organizimit sindi…

22.02.2026. 2 min čitanja

Në Dragash po zhvillohet Punëtoria Sindikale e BSPK-së – Strategji për zgjerimin dhe konsolidimin e organizimit sindikal

Dragash, 21 shkurt 2026

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me përkrahjen e Solidarity Center, po zhvillon në Dragash Punëtorinë Sindikale dyditore (20–22 shkurt 2026), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të federatave dhe shoqatave sindikale që veprojnë në kuadër të BSPK-së.

Kjo punëtori po organizohet si një proces i strukturuar reflektimi dhe planifikimi strategjik, me synim forcimin e organizimit të brendshëm dhe zgjerimin e përfaqësimit sindikal në nivel vendi. Në sesionet e para janë trajtuar roli dhe misioni i BSPK-së në zgjerimin sindikal, korniza statutare për anëtarësim, si dhe përfitimet dhe obligimet që rrjedhin nga anëtarësia në konfederatë.

Pjesëmarrësit kanë analizuar gjendjen aktuale të organizimit sindikal, duke identifikuar sfidat në afrimin e federatave dhe shoqatave të reja, si dhe duke hartuar plane konkrete komunikimi për rritjen e besimit dhe bashkëpunimit ndërsindikal. Në kuadër të punës në grupe janë zhvilluar edhe simulime të takimeve negociuese, me qëllim ndërtimin e ofertave të qarta dhe të argumentuara për bashkëpunim.

Dita e dytë e punimeve po fokusohet në procedurat ligjore dhe statutare për themelimin e federatave të reja, dokumentacionin e nevojshëm dhe procesin e aplikimit për anëtarësim në BSPK, si dhe në strategjitë për motivimin e shoqatave sindikale përmes ndërtimit të besimit dhe ofrimit të mbështetjes organizative.

Qëllimi i kësaj punëtorie është rritja e kapaciteteve organizative dhe negociuese të strukturave sindikale, forcimi i unitetit brenda BSPK-së dhe sigurimi i një procesi të rregullt, transparent dhe të qëndrueshëm të zgjerimit sindikal, në përputhje me statutin dhe legjislacionin në fuqi.

BSPK riafirmon përkushtimin e saj për promovimin e dialogut social, mbrojtjen e të drejtave ekonomike dhe sociale të punëtorëve dhe ndërtimin e një lëvizjeje sindikale të pavarur, të përgjegjshme dhe të fuqishme në Republikën e Kosovës.

— Dragash Info

Original Facebook objava